NGO PMSH

PROJEKTI MENTUPP

Promovimi i Shëndetit Mendor dhe Ndërhyrja në Mjedisin e Punës

Ky projekt është një program i madh kërkimor të financuar nga Bashkimi Evropian (BE), i cili përfshin 13 vende dhe 17 partnerë të projektit, dhe ka pasur një shtrirje kohore prej katër vitesh prej 01.01.2020 , duke përfshirë njëmbëdhjetë paketa pune të ndërlidhura së bashku. Projekti synon të përmirësojë shëndetin mendor, në mënyrë që të zvogëlojë simptomat e depresionit dhe sjelljen vetëvrasëse në Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM). Ky projekt është fokusuar në vlerësimin e ndërhyrjes, implementimit dhe identifikimit të faktorëve të nevojshëm optimizues përmes pilotimit dhe pastaj me një kampionim rastësor me shtresëzim, të testimit të ndërhyrjes në kushte të mbajtura nën kontroll në studimin kryesor (cRCT).

Në tërësi, projekti ka pasur synim të përmirësojë shëndetin mendor dhe mirëqenien në vendin e punës duke zhvilluar, zbatuar dhe vlerësuar një ndërhyrje që synon të lehtësojë si problemet klinike (çrregullimet depresive dhe të ankthit), ashtu edhe ato jo-klinike (stresin, “burnout”-in, mirëqenien, simptomat depresive). Gjithashtu, projekti ka në fokus promovimin e shëndetit mendor dhe mirëqenies në vendin e punës, si dhe të luftojë kundër stigmës ndaj shëndetit mendor. Ndërhyrjet janë zhvilluar në NVM të vogla dhe të mesme te rekrutuara në sektorin e ndërtimit, shëndetësisë dhe TIK-ut.

Studimi cRCT është zhvilluar gjatë një periudhe 13-mujore, qershor 2022-korrik 2023. Pjesëmarrësit janë rekrutuar nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) në industrinë e kujdesit shëndetësor, ndërtimit dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Studimi ka përdorur një qasje me metoda të përziera dhe të dhënat e vlerësimit janë marrë duke përdorur kornizën RE-AIM, për të strukturuar rezultatet e vlerësimit nga të dhënat e mbledhura. Matjet sasiore dhe cilësore janë mbledhur në fillim, si dhe pas përfundimit të ndërhyrjes (9 muaj pas fillimit dhe 13 muaj pas fillimit).

Të dhënat nga nëntë vende të ndërhyrjes (Australia, Shqipëria, Irlanda, Holanda, Hungaria dhe Kosova, Gjermania, Finlanda dhe Spanja) janë grumbulluar për analizë.

SFONDI I PROJEKTIT

Depresioni dhe ankthi janë problemet më të përhapura të shëndetit mendor në vendin e punës në BE, duke shkaktuar vuajtje shumë të mëdha, dhe duke i kushtuar ekonomisë globale 1 trilion euro çdo vit në produktivitet të humbur. Ato që punojnë në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë një target grup veçanërisht më vulnerabël, përsa i përket shëndetit mendor. Një ndërmarrje e vogël përfshin në stafin e saj, 10 deri në 50 të punësuar, ndërsa një ndërmarrje e mesme i referohet një stafi midis 50 dhe 250 individë të punësuar. Shumica e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM-ve) kanë kapacitete të kufizuara për të adresuar promovimin e shëndetit mendor, dhe për të ofruar ndërhyrje të shëndetit mendor për stafin e tyre. Meqenëse NVM-të përbëjnë më shumë se 90% të të gjitha bizneseve shqiptare me 80.3 % të të gjithë fuqisë punëtore në Shqipëri (që punojnë në një NVM), kanë një potencial të madh për të ndikuar në shëndetin e popullsisë duke ofruar ndërhyrje të shëndetit mendor në vendin e punës.

Projekti synon të përmirësojë shëndetin mendor dhe mirëqenien në vendin e punës duke zhvilluar, zbatuar dhe vlerësuar një ndërhyrje shumëplanëshe. Më saktësisht, ky projekt synon të lehtësojë si problemet klinike (çrregullimet depresive dhe të ankthit), ashtu edhe ato  jo-klinike (stresin, “burnout”-in, mirëqenien, simptomat depresive), si dhe të luftojë stigmën e shëndetit mendor në vendin e punës.

Projekti është kryer nga një konsorcium ndërdisiplinor që përfshin ekspertë kryesorë botërorë në shëndetin mendor, në mjediset profesionale, depresionin, ankthin, stresin, parandalimin e vetëvrasjeve dhe stigmën.